TIRANË – Ka nisur zyrtarisht protesta kombëtare e thirrur nga Partia Demokratike, e cila po zhvillohet para godinës së Kryeministrisë. Qindra qytetarë dhe simpatizantë të opozitës janë mbledhur në shesh për të shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisjes së kryeministrit Edi Rama.
Pak para nisjes së protestës, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbërritur në selinë blu dhe më pas i është bashkuar protestuesve në shesh. Lideri i opozitës është pritur me entuziazëm nga mbështetësit, të cilët kanë shprehur mbështetjen e tyre për aksionin protestues.
Protesta është thirrur nga opozita si reagim ndaj, sipas saj, skandaleve të njëpasnjëshme që kanë përfshirë qeverinë. Përfaqësues të opozitës kanë deklaruar se protestat para Kryeministrisë do të jenë të qëndrueshme dhe pjesë e një serie aksionesh politike, të cilat do të vijojnë deri në largimin e qeverisë aktuale.
Ndërkohë, masat e sigurisë janë të shtuara. Forca të shumta të Policisë së Shtetit janë dislokuar në zonë, të pajisura me skafandra dhe maska kundragaz, duke rrethuar të gjithë perimetrin e Kryeministrisë dhe rrugët përreth. Janë vendosur barriera metalike për të kufizuar lëvizjen e protestuesve pranë institucioneve shtetërore.
Sipas Policisë së Shtetit, rreth 1 mijë e 350 efektivë janë angazhuar për mbarëvajtjen e tubimit, ndërsa është bërë publik edhe plani i masave për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë protestës.

















