Elbasan: Prokuroria kërkon “arrest në burg” për punonjësin e burgut dhe dy bashkëpunëtorë. Akuzohen për futje droge në IEVP

Elbasan – Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka kërkuar caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” për tre shtetas: Ndriçim Kroi, Geralda Samolli dhe Esmeralda Komici, të dyshuar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burg”, parashikuar nga nenet 283/2 dhe 324/a/2 të Kodit Penal.

Nga hetimet mbi procedimin penal nr. 669, të vitit 2025, i regjistruar mbi bazën e informacioneve të referuara nga organet ligjzbatuese, ka rezultuar se shtetasi N.K., punonjës i Policisë së Burgjeve dhe me detyrë shërbimin në regjimin e brendshëm të IEVP Elbasan, ishte përfshirë në veprimtari të kundërligjshme, konkretisht në futjen e lëndëve narkotike brenda institucionit.

Sipas Prokurorisë, për të kamufluar aktivitetin e tij kriminal, gjatë orëve jashtë shërbimit N.K. ushtronte aktivitet si shitës ambulant në qytetin e Elbasanit, duke tregtuar telefona të përdorur dhe sende të tjera. Në këtë mënyrë, ai merrte porosi nga familjarë të të paraburgosurve dhe i sillte ato në IEVP Elbasan. Hetimet kanë dokumentuar se ai furnizonte të paraburgosurit me lëndë narkotike, e cila më pas shpërndahej brenda regjimit të brendshëm nga vetë të paraburgosurit.

Prokuroria ka administruar gjithashtu prova se futja e lëndës narkotike kryhej kryesisht gjatë turnit të tretë dhe në fundjavë, periudha kur në institucion ka mungesë të personelit administrativ.

Nga përgjimet telefonike dhe ambientale, vëzhgimet, dokumentimi filmik, veprimet simuluese dhe aktet e ekspertimit, ka rezultuar se N.K. bashkëpunonte me shtetasen E.M., e cila e paguante për futjen e lëndës narkotike në burg, me shuma që varionin nga 100 deri në 200 mijë lekë të vjetra. Kjo e fundit ka deklaruar se i dashuri i saj, i identifikuar si G.S., merrej me shitjen e lëndëve narkotike brenda IEVP Elbasan me çmime të ndryshme.

Në bazë të provave të administruara, organi i akuzës vlerëson se ndaj shtetasve N.K., E.K. dhe G.S. ekziston dyshim i arsyeshëm dhe i bazuar në prova për kryerjen e veprave penale për të cilat akuzohen.

Masat e sigurimit u ekzekutuan më 22 janar 2026 nga shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të veprimtarisë kriminale.