Prej dy ditësh, mjegulla e dendur vijon të jetë prezente në aksin rrugor Korçë-Pogradec, duke kufizuar ndjeshëm dukshmërinë dhe duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve.
Mësohet se, përqendrimi më i madh i mjegullës konstatohet në segmentet e këtij aksi që kalojnë në territorin e Maliqit dhe në zonat përreth fshatrave, ku në disa momente dukshmëria zbret në nivele shumë të ulëta.
Në këto kushte, autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të automjeteve të tregojnë kujdes të shtuar, të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe të përdorin dritat e përshtatshme gjatë lëvizjes.
Situata po monitorohet nga strukturat përkatëse, ndërsa drejtuesit e mjeteve këshillohen të shmangin manovrat e rrezikshme dhe të ruajnë distancën e sigurisë, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.













