Flakët shkrumbojnë një banesë në Elbasan

Një banesë e vjetër, e ndodhur në rrugën “Rinia” në qytetin e Elbasanit, është përfshirë nga flakët pasditen e së shtunës.

Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë, të cilat bënë të mundur normalizimin dhe devijimin e trafikut të automjeteve në zonë. Më pas ndërhynë forcat zjarrfikëse, si edhe punonjësit e OSHEE-së, për menaxhimin e situatës dhe shmangien e rreziqeve të mëtejshme.

Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar. Megjithatë, zjarri shkaktoi panik dhe frikë te banorët e lagjes, pasi banesa ndodhej ngjitur me pallate dhe banesa të tjera.

Shkaku i rënies së zjarrit mbetet ende i paqartë. Sipas informacioneve paraprake, banesa rezulton të ketë qenë e braktisur, ndërsa vetëm një pjesë e saj ishte e banueshme.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të rënies së zjarrit.