Ngjarje e trishtë! Ndërron jetë pas një ataku kardiak ish-basketbollisti i Dinamos dhe kombëtares, vëllai binjak i Ema Andreas…

TIRANE – Ditët e fundit të këtij viti kanë sjellë një lajm të zi për sportin e koshit shqiptar dhe Dinamos, pasi ish-basketbollisti Enea Andrea ka ndërruar jetë në mënyrë të papritur dhe parakohshme, në moshën 54-vjeçare.

Ngjarja ndodhi mëngjesin e sotëm në një palestër sportive gjatë orarit që ai ushtrohej, por që kësaj here shkoi për të mos u kthyer më. Rreth 7 vite më parë ai kaloi një problem me zemrën pas të cilit u rikthye në formën optimale fizike dhe që prej asaj periudhe ushtrohej çdo ditë.

Një lajm i hidhur për sportin e basketbollit dhe median shqiptare, ku ai prej disa vitesh kryente edhe rolin e specialistit në komentet televizive të basketbollit amerikan NBA dhe jo vetëm.

Enea Andrea është gjithashtu vëllai binjak i aktores të njohur shqiptare Ema Andrea. Ai luajti për shumë vite basketboll si pjesë e ekipit të Dinamos dhe ekipit kombëtar. Enea ndahet nga jeta duke lënë pas të pikëlluar dy fëmijët dhe bashkëshorten.