Zgjedhjet në Kosovë / Exit-Poll-et nxjerrin fitues Ramën në Prishtinë! Ja rezultatet në komunat e tjera

Pas mbylljes së kutive të votimit për zgjedhjet lokale në Kosovë, kanë dalë rezultatet e exit poll-eve, sipas të cilave kandidatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe PDK-së kryesojnë në komunat kryesore.

Në Prishtinë, kandidati i LDK-së, Përparim Rama, pritet të jetë kryetar për katër vitet e ardhshme, sipas exit poll-it të T7, duke marrë 52.8% të votave. Kundërshtari i tij nga Lëvizja Vetëvendosje, Hajrulla Çeku, ka marrë 47.2% të votave.

Në Gjakovë, Ardian Gjini i AAK-së ka fituar kundër Ardian Golës së Vetëvendosjes, me 59.2% ndaj 40.8%, sipas të njëjtit exit poll.

Në Pejë, Gazmend Muhaxheri i LDK-së prin me 59.5%, duke mposhtur Taulant Kelmendin, i cili ka marrë 40.5%.

Në Prizren, Shaqir Totaj i PDK-së ka fituar me 55.5% të votave kundrejt 44.5% të Vetëvendosjes.

Ndërsa në komunën e Ferizajt, Arian Tahiri i PDK-së kryeson me 50.9%, ndërsa Faton Peci i Vetëvendosjes ka marrë 49.1%.