Pesë bashki në votime, por interesi i qytetarëve mbetet i ftohtë

Në përditësimin e fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, është raportuar pjesëmarrja në zgjedhjet e pjesshme vendore që po zhvillohen këtë të diel në pesë bashki të vendit. Sipas të dhënave të orës 17:00, në bashkinë Vlorë kanë votuar 12,37% e qytetarëve, në Berat 18,93%, në Cërrik 24,96%, në Mat 39,61%, dhe në Tepelenë 32,54%.

Në total, mbi 334 mijë votues në këto pesë bashki pritet të zgjedhin drejtuesit e rinj vendorë. Qendrat e votimit janë hapur që prej orës 07:00 dhe procesi pritet të mbyllet në orën 18:00. Zgjedhjet zhvillohen për të zëvendësuar pesë kryebashkiakët që kanë lënë detyrën për t’u bërë deputetë apo ministra, si në rastin e Andis Sallës në Cërrik. Në garë marrin pjesë 13 kandidatë. Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, Partia Demokratike nuk ka regjistruar kandidatë nën siglën e saj apo të ndonjë partie tjetër opozitare, megjithëse ka shprehur mbështetje për disa kandidatë të pavarur. Kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, bëri me dije se pjesëmarrja më e lartë është shënuar te qytetarët mbi 65 vjeç, ndërsa të rinjtë kanë treguar një interes të ulët për votimet.