Dënohet me 17 vite burg ish-i dashuri i 13-vjeçares shqiptare që humbi jetën në Itali

3 Nëntor 2025 – Vox

Një gjykatë në Bolonja ka dënuar me 17 vite burg një 16-vjeçar për vdekjen e 13-vjeçares shqiptare, Aurora Tila, e cila ra nga ballkoni i banesës së saj në Piacenza më 25 tetor 2024.

Seanca u zhvillua në Gjykatën e të Miturve, ku prokurori kishte kërkuar 20 vite e 8 muaj burg. Prindërit e Aurorës shprehën kënaqësi me vendimin, por theksuan se dëshironin një dënim më të gjatë.

Sipas raportimeve, viktima dhe i pandehuri ishin në një marrëdhënie të mëparshme, të cilën vajza e kishte ndërprerë. Para ngjarjes, nëna e 13-vjeçares kishte bërë një denoncim për shqetësime nga adoleshenti.

I pandehuri mohoi përfshirjen e tij, por dëshmitë treguan të kundërtën. Një dëshmitar konfirmoi se ai ishte shkaku i rrëzimit të Aurorës, ndërsa vajza i kishte thënë: “Të dua, nuk mund të ma bësh këtë”, duke u kapur pas kangjellave dhe pas belit.