Vritet me armë 36-vjeçari në Vlorë

Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e sotme fshatin Gjorm të Vlorës, ku 35-vjeçari Dalan Aliaj ka humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri. Aliaj u qëllua teksa ndodhej në banesën e djalit të xhaxhait të tij.

Sipas të dhënave paraprake, viktima, banues në Levan të Fierit, u plagos rëndë dhe u transportua me urgjencë drejt spitalit të Vlorës, por nuk arriti t’u mbijetonte plagëve, duke ndërruar jetë gjatë rrugës.

Policia mbërriti menjëherë në vendngjarje dhe po heton për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar, ndërsa motivi i krimit mbetet ende i paqartë.

Ngjarja ka shkaktuar tronditje në komunitet, ndërsa forcat e rendit po punojnë për sigurimin e zonës dhe mbledhjen e provave që do të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të këtij krimi.