Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka marrë fletëthirrjen e dytë nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), pasi nuk u paraqit në seancën e parë ku do të njihej me akuzat zyrtare ndaj saj.
Balluku publikoi një video nga Bukureshti, ku ndodhej në një takim për energjinë me homologun rumun, por mungesa e saj në Tiranë ka sjellë reagim të menjëhershëm nga prokurori i çështjes, Dritan Prençi. Ky i fundit ka vendosur t’i dërgojë ministres një thirrje të re në adresën e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Në këtë fletëthirrje të dytë, SPAK e njofton Ballukun se duhet të paraqitet brenda kësaj jave e shoqëruar nga avokati i saj, ndërsa paralajmërohet se në rast mosparaqitjeje do të shoqërohet me forcë.
Zyrtarisht, Balluku është nën hetim për “shkelje të barazisë në tenderat publikë”. Hetimet janë pjesë e një dosjeje të gjerë që lidhet me procedurat e tenderimeve në institucionet që ajo ka drejtuar, pas arrestimit të disa ish-vartësve të saj në Ministri dhe në Entin Kombëtar të Rrugëve.













