Pas një urdhri të bërë publik nga ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, Policia Rrugore ka sekuestruar qindra monopatë elektrikë në Tiranë gjatë dy ditëve të fundit. Aksioni vjen si pjesë e fushatës për rritjen e sigurisë rrugore dhe kontrollin e mjeteve elektrike në qarkullim, por ka shkaktuar reagime të forta në publik.
Qytetarë dhe përdorues të monopatëve e kanë cilësuar masën si të nxituar dhe të pajustifikuar, duke theksuar se urdhri u dha përmes një postimi në rrjetet sociale dhe jo me një akt zyrtar ligjor. Shumë prej tyre pretendojnë se janë prekur në mënyrë të padrejtë, duke u përballur me konfiskim të pronës pa paralajmërim, informim apo bazë ligjore të qartë.
Në përgjigje të kësaj situate, për të mërkurën është paralajmëruar një protestë në orën 10:00 përpara Policisë Rrugore të Tiranës, ku qytetarët do të kërkojnë anulimin e urdhrit dhe kthimin e monopatëve të sekuestruar. Organizatorët thonë se nuk do të ndalen deri në marrjen e përgjigjeve dhe mbrojtjen e të drejtës së tyre për pronë dhe lëvizje.
Në mungesë të një kuadri të qartë ligjor për qarkullimin e monopatëve elektrikë, ky rast ka hapur debat publik mbi mënyrën se si hartohen dhe zbatohen politikat e sigurisë rrugore në vend.
