Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka deklaruar këtë mbrëmje se është ndjerë i tradhëtuar nga Partia Demokratike lidhur me negociatat për përzgjedhjen e një kandidati të përbashkët të opozitës.
Kjo sepse sipas tij, kryedemokrati Sali Berisha doli pa i pyetur për të deklaruar se do të mbështeste Florjan Binajn, pavarësisht se ishin ende në proces negocimi.
“Ne nuk kemi folur për asnjë emër, nuk kemi përmendur kurrë emra në publik, kemi folur vetëm për parimin. Ne jemi krenarë sepse falë propozimit tonë ngjalli një shpresë në fakt, se në fillim thonin jo, duhet kandidat me profil politik, pastaj pak politik dhe jo politik. U detyruam të nxirrnim një propozim sepse thonin është ideale kjo që thoni ju, por keni emra. Dhe ne propozuam Ermalin (e ka fjalën për Ermal Hasimjan). Jemi krenarë edhe për propozimin dhe për Ermalin. U mbyll në mënyrën më të keqe të mundshme, u premë në besë. Folëm për të dalë me një kandidat jashtë partive opozitare për të shkuar përtej vetes. Ky është fakt. U mbyll në mënyrën më të keqe të mundshme. Na prenë në besë. PD na preu në besë sepse na thanë propozimi është i mirë, hajde flasim për emra. Pastaj dolën e thanë emrin, po deshët mbështeteni, po deshët jo”, deklaroi Shehaj në një lidhje për emisionin “Opinion”.
Pavarësisht kësaj, kreu i partisë Mundësia u shpreh se do ta mbështesin gjithsesi kandidaturën e Florjan Binajt.
“Troç po flas. Ne do mbështesim kandidatin jo politik ashtu siç kemi premtuar, do mbështesim Binajn, pavarësisht se nuk është kandidati që kemi propozuar, por do ta mbështesim deri në fund. Ne e mbështesim, ne jemi koherent me çfarë kemi thënë që në ditën e parë. Duhet një kandidat jo politik, ka dalë një kandidat si Binaj që i plotëson të gjitha kushtet. Pavarësisht problemeve me PD-në, qëllimi kryesor është t’i japim Tiranës një kandidat të pakorruptuar. Emri s’ka qenë kurrë kusht nga ne.”, theksoi Shehaj.
Ai shtoi se madje do ta mbështesin “sikur të kishte qenë kandidati ynë!”
