U godit me thikë në shtëpinë e kushërirës, Beqiraj kishte ftuar në banesë shokë, dyshohet se u vra nga njëri prej tyre

Detaje të tjera dalin në dritë nga vrasja e 51-vjeçarit Valdon Beqiraj mbrëmjen e së mërkurës në lagjen nr. 12 të qytetit.

Policia tha se nga ekspertiza mjekoligjore, ka rezultuar se 51-vjeçari kishte shenja dhune në trup si edhe plagët të shkaktuara me mjetin prerës, si pasojë e të cilave dyshohet se ka humbur jetën.

Shkak dyshohet të jetë bërë një sherr me një person që ai kishte ftuar në banesë, e cila në fillim u raportua se ishte e tij, por rezultoi se ishte e kushërirës në emigrim që i kishte lënë çelësin për t’u kujdesur. Dyshohet se me miqtë konsumonin alkool dhe lëndë narkotike.

Dyshohet se ka pasur një sherr me njërin prej të ftuarve, i cili i ka marrë edhe jetën. Rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta, ndërsa policia ka shoqëruar disa persona në polici, mes të cilëve dyshohet edhe autori i krimit. Në banesë u gjet i pajetë nga nipi i tij.

Mësohet gjithashtu se 51-vjeçari përdorte edhe një emër tjetër, Marko Beqiraj dhe ishte baba i një djali 12-vjeçar. Ai punonte si kamarier me kohë të pjesshme në një lokal në qytetin bregdetar. Policia thotë se do të dalë me një tjetër njoftim pas sqarimit të rrethanave.