Diella e e-albania “ngre supet”/ Kalvari i financierëve për të dorëzuar online bilancet, në epokën e dixhitalizimit!

Në epokën e “ChatGPT”, (ku kompjuteri mendon si njeri), teknologjisë së informacionit dhe investimeve pa fund të dixhitalizimit të gjithë sistemit të shërbimeve shtetërore, dorëzimi i një bilanci online duhet të ishte veprimi më i thjeshtë.

Por, një procedurë që teorikisht duhet të zgjaste vetëm 7 minuta, është kthyer në një kalvar të vërtetë për shumë financierë e kontabilistë që po e shpenzojnë jo vetëm ditën, por edhe natën për të ngarkuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), që menaxhohet përmes sistemit E-Albania, pasqyrat financiare të 2024-s.

Që në datën 24 korrik, një javë para afatit final që është 31 korriku, ekonomistët raportuan se nuk po arrinin të dorëzonin bilancet.

Sistemi u rregullua përkohësisht, ndonëse ishte i ngadaltë, teksa problemet nisën sërish në fillim të kësaj jave.

Sa herë që “Monitor” kontaktoi me “Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit”, në varësi të së cilës është Qendra Kombëtare e Biznesit, përgjigjja ishte që puna vazhdon normalisht.

Ndërsa “Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit” (AKSHI) që menaxhon sistemin e E-ALbania e pranuan që kishte probleme dhe po punonin.

Financierët dhe kontabilistët sollën për “Monitor” rastet se si po shpenzonin kohë dhe energji për të kryer procedurën. Në videon më poshtë duket qartë që aplikimi është i pamundur që të kryhet.

Kjo procedurë po u kalit durimin financierëve. “Është një procedurë për ta kthyer dhimbjen në forcë: që të jesh financier veç te tjerash duhet të kesh nerva, të jesh kameraman, informaticien që të kuptosh si e do sistemi, dhe mbi të gjitha asistent zyre për ndërlidhje”, konstaton me ironi Gladiola, kontabiliste.

Diella “ngre supet”

Në janar të këtij viti, u prezantua me bujë Diella asistentja e re virtuale me zë dhe figurë të e-Albania. “Mirëmëngjes dhe me Diellën, ndihmësen tuaj zadrimore që sapo ka dalë nga inkubatori i Inteligjencës Artificiale të AKSHI-t dhe për disa muaj do të jetë gati jo vetëm t’ju asistojë gjatë ndërveprimit tuaj me platformën e-Albania po edhe t’i kryejë shërbimet për ju me një lutje të vetme, ju uroj të diel sa më të qetë”, shkruate në atë kohë në rrjetet sociale kreu i qeverisë.

Po, situata e krijuar duket pak e komplikuar për Diellën.

“Ju lutem si duhet të veproj pasi kam disa subjekte për dorëzim bilanci dhe pas aplikimit nuk vjen kodi i nënshkrimit. Nënshkrimi është aktiv ndërkohë. Pas kalimit me sukses, aplikimi refuzohet për arsye të firmës, ndërkohë është ”, është pyetja që bën Gladiola.

Përgjigjja që vjen nga sistemi është: “Bazuar në problemin e raportuar nga ju, ju lutemi verifikoni paraprakisht në Platformën e Nënshkrimit Elektronik, përkatësisht në lidhjen: https://esign.akshi.gov.al/Login nëse keni një certifikatë elektronike aktive apo jo.

Nëse në formularin e aplikimit, në shërbimin që po përdorni, zgjidhni opsionin “Aplikanti është i njëjtë me administratorin”, ju lutemi sigurohuni që NID që administratori ka regjistruar në QKB, të jetë i njëjtë me NID për të cilin është lëshuar nënshkrimi elektronik.

Nëse opsioni “Person i autorizuar” është zgjedhur në formularin e aplikimit, ky i fundit duhet patjetër të jetë i pajisur me një nënshkrim elektronik të vlefshëm. Në rast se aplikanti ka një nënshkrim elektronik të vlefshëm, për të provuar që nënshkrimi është aktiv, ju lutemi nënshkruani një dokument përmes platformës esign.

Nëse nënshkrimi është aktiv dhe vazhdoni të hasni probleme, konfirmojeni duke specifikuar NID-in e aplikantit. Përndryshe, nëse nënshkrimi juaj ka skaduar, ose gjatë procedurës së nënshkrimit elektronik të një dokumenti në Platformën e Nënshkrimit Elektronik, nuk ju dërgohet asnjë kod autorizimi, ju lutemi na kontaktoni në adresën e emailit: pki@akshi.gov.al.”

Kjo përgjigje që është funksionale kur sistemi është në rregull, nuk e zgjidh problemin aktual të kontabilistëve.

“Nëse ti i çon email për problemet ka raste kthejnë përgjigje brenda ditës ka raste brenda 24 orëve, por gjithmonë me arsyetimin që sistemi u rregullua provojeni nëse ka sërish probleme na thoni. Por nëse sistemi nuk punon i bie të na penalizojë e të na lërë pa punë, sepse nuk arrijmë të ngarkojmë bilancet”, thotë I.Çarçani.

Gladiola tregon një rast kur ajo nuk arrin të filloë aplikimin, d.m.th që në hapin 1, ndërsa përgjigja që i vjen me mail është që ka gabuar në hapin 5!!!

E-Albania: Afati 31 korrik 2025 mos e lini ditën e fundit

Pas problemeve që kanë hasur subjektet ditët e fundit për dorëzimin online të pasqyrave financiare, Shoqata Aleanca e Profesionistëve të Lirë (APL) ka kërkuar të merrej në konsideratë një shtyrje e afatit të dorëzimit, derisa platforma të funksionojë në mënyrë të qëndrueshme dhe me kapacitet të plotë.

Megjithatë, në rrjetet sociale të portalit qeveritar për shërbimet publike, E-Albania, është publikuar së fundmi njoftimi që u kujton subjekteve që të dorëzojnë pasqyrat financiare dhe raportin e auditimit në kohë.

Afati i fundit, është 21 korriku 2025. Në njoftim, subjekteve u tërhiqet vëmendje që të mos e lënë dorëzimin për ditën e fundit dhe të aplikojnë tani.

“Vetëm fakti që thonë mos e lër për datën 31 tregon që dhe ata janë të ndërgjegjshëm për këtë që po ndodh. Pasi nëse një aplikim zgjat maksimumi 10 minuta, kjo nënkupton që sado bilance të kemi të arrijmë ti dorëzojme brenda një dite. Dhe fakti që kemi filluar që në më 16 korrik ishte se kishte disa ditë që dilte error (gabim)”, thotë Gladiola./Monitor