Situata nga zjarret / 17 vatra aktive në të gjithë vendin, 1 mijë zjarrfikës në terren

Plot 17 vatra zjarresh janë aktive në të gjithë vendin, sipas ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu.

Në një njoftim në rrjetet sociale, Vengu bën me dije se në terren janë angazhuar 1 mijë zjarrfikës, të cilët po punojnë për shuarjen e flakëve.

Gjithashtu, pesë helikopterë dhe dy avionë janë angazhuar nga ajri.

Njoftimi:

Aktualisht janë 17 vatra aktive në disa qarqe të Shqipërisë, ku po vijon puna për izolimin dhe shuarjen e tyre.

Në terren janë angazhuar afërsisht 1000 forca, ushtarake dhe civile, të cilat po punojnë pa ndërprerje, nën koordinimin e Shefit të Shtabit të Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile

Nën koordinimin e AKMC po sigurojmë mbështetjen e mjeteve të Forcës Ajrore në disa zona si Delvinë, Konispol, Berat/Dimal dhe Bërzhitë, me 5 helikopterë të përfshirë në operacione në këto momente.

Deri tani janë neutralizuar 9 vatra zjarri, të cilat po monitorohen nga afër për të parandaluar riaktivizimin.

Gjatë pasdites pritet të angazhohen edhe 2 avionë “Canadair” nga Italia dhe Kroacia , për të forcuar më tej ndërhyrjen ajrore.