Zjarri në malin e Shpiragut mbetet aktiv. Rrezikohen dy fshatra

Vijon të mbetet problematike situata në malin e Shpiragut në Berat.

Që prej ditës së djeshme, me qindra forca zjarrfikësish me mbi 40 mjete po luftojnë me flakët e zjarrit që janë përhapur në një sipërfaqe të gjerë, ndërsa në ndihmë të tyre kanë ardhur dhe forcat e ushtrisë të Repartit të Ndërhyrjes së Shpejtë në Poshnje dhe dy helikopter të ushtrisë, që po kryejnë hedhen e ujit nga ajri.

Situata mbetet ende problematike në fshatrat Galinë dhe Paftal, ku zjarri rrezikon banesat, pasi është shumë pranë këtyre dy fshatrave. Burime të zjarrfikësve nga zonat e zjarrit deklarojnë se forcat zjarrfikëse dhe ato të ushtrisë janë përqendruar në afërsi të këtyre dy fshatrave, për të shmangur rrezikun e përhapjes së zjarrit drejt Galinës e Paftalit.

Ndërkohë që për fikjen e zjarrit po ndihmojnë edhe vetë banorët, këta të fundit deklarojnë se kanë frikë se mos zjarri u afrohet banesave të tyre dhe se deri tani s’kanë marrë asnjë njoftim nga zjarrfikësit apo ushtria për t’u larguar.

Me shpresën që zjarri të devijojë drejtim, banorët shprehen se ky është viti i parë që ka rënë një zjarr i tillë në afërsi të fshatrave të tyre.