Italia ka miratuar një dekret të ri që forcon ndjeshëm rregullat për përdorimin e monopatinave elektrike në rrugët urbane. Vendimi, i ndërmarrë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, synon të rrisë sigurinë dhe të nxjerrë këto mjete nga “anonimati” me të cilin janë shoqëruar deri më tani.
Sipas dispozitave të reja, çdo monopatinë elektrike duhet të pajiset me një targë identifikuese, e cila do të vendoset në një vend të dukshëm. Kjo masë vjen pas një sërë aksidentesh, ku mungesa e identifikimit të mjeteve ka bërë të pamundur ndëshkimin ose përgjegjësimin ligjor. Po ashtu, targa do të shërbejë si një mjet për regjistrimin dhe kontrollin e monopatinave në nivel kombëtar.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është detyrimi për të mbajtur kaskë mbrojtëse, i cili tashmë përfshin edhe të rriturit. Autoritetet theksojnë se kjo masë do të kontribuojë në rritjen e sigurisë për përdoruesit e monopatinave, sidomos në mjediset urbane me trafik të dendur.
Për çdo shkelje të këtyre rregullave të reja, ligji parashikon gjoba që variojnë nga 100 deri në 400 euro.
Ky vendim i qeverisë italiane vjen si një përpjekje për të unifikuar masat që deri më tani janë zbatuar në mënyrë të pjesshme nga disa qytete të veçanta të vendit.
Italia i bashkohet kështu një sërë vendesh të tjera që kanë ndërmarrë masa të rrepta për përdorimin e monopatinave elektrike. Në Paris, për shembull, përdorimi i monopatinave me qira është ndaluar që prej 1 shtatorit 2023, pas një referendumi në të cilin 90% e qytetarëve votuan pro ndalimit. Masa të ngjashme janë marrë edhe në vende si Malta, e cila i ka ndaluar në nivel kombëtar, ndërsa Finlanda ka vendosur kufizime moshe duke ndaluar përdorimin nga persona nën 15 vjeç. Kufizime ekzistojnë edhe në Irlandë, Britaninë e Madhe, Singapor dhe qytetin australian të Melburnit.
