Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Britaninë e Madhe. Të shtunën pasdite, një pemë e madhe u rrëzua papritur në një park publik në Southend-on-Sea, duke zënë poshtë pesë vajza të vogla shqiptare nga familja Ruka, me origjinë nga Kukësi.
Fatkeqësisht, Leona Ruka, vetëm 7 vjeç, ndërroi jetë si pasojë e plagëve të rënda. Motra e saj, 6-vjeçare, ndodhet në gjendje kritike për jetën, ndërsa tre vajzat e tjera kanë marrë lëndime më të lehta dhe janë jashtë rrezikut.
Ngjarja ndodhi rreth orës 15:00 në Chalkwell Park, pranë zonës së trëndafilave, aty ku fëmijët po luanin. Dëshmitarët tregojnë se një degë masive e pemës u shkëput dhe ra mbi to pa asnjë paralajmërim. Qindra qytetarë që ndodheshin aty, përfshirë dhe sportistë që luanin kriket pranë fushës, ndërhynë menjëherë duke tentuar të ngrinin pemën për të nxjerrë fëmijët.
Policia dhe shërbimet emergjente mbërritën me urgjencë në vendngjarje. Shefi i Policisë së Essex, Leighton Hammett, deklaroi:
“Familjet po përballen me një dhimbje të paimagjinueshme. Mendimet dhe lutjet tona janë me ta në këtë moment tragjik.”
Ngjarja ka prekur thellë komunitetin shqiptar në Britani. Është hapur një fushatë në GoFundMe, ku bëhet thirrje për ndihmë financiare për familjen Ruka. Fondet do të përdoren për organizimin e ceremonisë mortore të Leonës, si dhe për mbështetjen e prindërve dhe trajtimin mjekësor të vajzës tjetër që ndodhet në terapi intensive.













