Një ngjarje e rëndë është shënuar në fshatin Fatishe të Peqinit, ku një 84-vjeçar është gjetur i pajetë në një kanal vaditës pranë banesës së tij.
Sipas Policisë, mëngjesin e kësaj date është kallëzuar humbja e shtetasit N. D., 84 vjeç, nga djali i tij I. D., banues në të njëjtin fshat. I moshuari vuante nga skleroza dhe ishte larguar nga banesa në orët e para të mëngjesit.
Pas njoftimit, shërbimet policore kanë ndërmarrë menjëherë kërkime intensive në zonë. Rreth orës 19:00, trupi i pajetë i të moshuarit u gjet në një kanal vaditës pranë shtëpisë. Nga këqyrja paraprake dhe hetimet e para nuk janë konstatuar shenja dhune, ndërsa dyshohet se ai ka rënë aksidentalisht në kanal dhe është mbytur.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.
