Helmohen 70 fëmijë nga ushqimi në kopshtin shtetëror në Gramsh. Analizat treguan prani të madhe të bakterit të salmonelës

Gjatë gjithë kësaj jave dyshohet se dhjetëra fëmijë në Gramsh kanë shfaqur sheja helmimi i cili dyshohet se ka ardhur nga ushqimi që kanë konsumuar në kopshtin shtetëror.

Ky shërbim ofrohet nga një kompani private përmes kateringut. Një grup i madh i fëmijëve gjatë këtyre ditëve është paraqitur me shqetësime dhe të vjella në spitalin e qytetit të Gramshit dhe kjo ka alarmuar prindërit, ndërsa autoritetet e kanë mbajtuar të fshehtë situatën e krijuar.

Fillimisht prindërit kishin dyshuar për gjendje gripale të fëmijëve, por analizat e kryera treguan se ata ishin helmuar nga ushqimi. Helmimi u shkaktoi temperaturë të lartë, përzierje dhe dhimbje të forta koke. Nga përgjigjia e analizave mikrobiologjike ka rezultuar se ka pasur intoksikacion (helmim) nga salmonela.


Analiza
Burime jo zyrtare bënë me dije se të paktën 70 fëmijë dyshohet se janë helmuar nga ushqimi i konsumuar në një kopsht shtetëror në qytetin e Gramshit. Ata i janë nënshtruar kontrolleve mjekësore dhe analizave, por ende nuk ka asnjë reagim zyrtar lidhur me situatën që dyshohet se është edhe më e rëndë sesa thuhet paraprakisht, pasi analizat kanë treguar prani të madhe të bakterit të salmonelës.

Reagim i spitalit Gramsh:

Disa fëmijë dyshohet se janë helmuar nga ushqimi me përmbajtje salmonele në Gramsh.Ngjarja ka ndodhur në fillim të kësaj jave, ku disa fëmijë janë paraqitur me shqetësime dhe të vjella në spitalin e qytetit,ndërsa analizat laboratorike kanë treguar se ata janë helmuar.
Analizat kanë treguar prani të bakterit salmonelë.
Paraprakisht dyshohet se helmimi ka ardhur nga ushqimi që fëmijët kanë konsumuar në kopshtin shtetëror.

Në lidhje me ngjarjen drejtoresha e institucionit Greta Lena bën me dije se vërtetë në spital janë paraqitur fëmijë me salmonelë, por situata është nën kontroll dhe jo siç paraqitet në disa rrjete sociale që kemi të bëjmë me 70 fëmijë të prekur. Në spital thotë ajo janë paraqitur vetëm 3 fëmijë, një rast me simptoma më të rënda dhe 2 të tjerë më lehtë. Sakaq kopshti i është nënshtruar dezifektimit.

“Nuk është i vërtetë numri që qarkullon në mediat sociale. Tre fëmijë janë paraqitur në urgjencën e spitalit Gramsh në fillim të javës. Fillimisht është paraqitur një fëmijë me simptoma më të rënda me temperaturë të lartë, diarre dhe të vjella. E referuam për ekzaminime te higjena dhe analizat konfirmuan prezencë të bakterit salmonelë.

Më pas në spital mbërriten edhe dy fëmijë të tjerë me simptoma më të lehta frekuentues të kopshtit, ku analizat laboratorike konfirmuan sërish prezencë salmonele.

U krye menjëherë dezifektimi i ambjenteve të kopshtit dhe në vijim të paktën në spital nuk janë paraqitur më raste fëmijësh me simptoma”-përfundon Lena.