Zgjedhjet/ Prokuroria e Elbasanit nis hetim penal për shpërdorim të autoritetit policor pas një denoncimi në rrjetet sociale

Elbasan, 6 maj 2025 – Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka regjistruar procedimin penal nr. 457/2025 për veprën penale “Shpërdorimi i autoritetit policor”, në bazë të nenit 332/a të Kodit Penal, pas një denoncimi të bërë publikisht nga një përfaqësues i një subjekti politik.

Sipas njoftimit zyrtar, hetimi u nxit nga informacione të marra në rrjetet sociale, ku pretendohet përfshirja e disa punonjësve të IEVP Peqin në aktivitet politik në mbështetje të një kandidati për deputet në zgjedhjet e 11 majit 2025. Ngjarja vjen në kontekstin e masave të veçanta të urdhëruara nga drejtuesi i prokurorisë për periudhën zgjedhore 1 prill – 31 maj 2025, për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor.

Për zhvillimin e një hetimi të plotë dhe të paanshëm, është ngritur një grup i posaçëm hetimor me prokurorin e çështjes dhe tre oficerë të policisë gjyqësore. Ky grup ka nisur menjëherë veprimet e para hetimore, përfshirë marrjen në pyetje të personave me dijeni, sekuestrimin e provave materiale si celularë dhe pajisje DVR, si dhe këqyrjen e pamjeve filmike.

Prokuroria e Elbasanit konfirmon angazhimin për të garantuar hetim efektiv të çdo vepre penale që lidhet me procesin zgjedhor, duke ftuar qytetarët dhe subjektet politike të raportojnë çdo fakt të dyshimtë në kohë.