Kundërshtojnë ndërtimin e rrugës, banorët e Hotolishtit protestojnë me arkivol: Ose ne, ose ju (FOTO)

Banorët e Hotolishtit në Librazhd protestuan sot për rrugën e re që kalon në mes të fshatit të tyre.

Ata kundërshtojnë ndërtimin, për shkak se mund të prishen banesat e tyre e po ashtu pretendojnë se mund të bëhet burim aksidentesh dhe rreziku për jetën. Ata kanë zgjedhur edhe një formë të veçantë proteste, teksa kanë sjellë në demonstratë një arkivol.

“Hotolishti është gati të përgjigjet, ose ne, ose ju”, shkruhet në një pankartë të vendosur pranë arkivolit.

Nuk kanë munguar as përplasjet me policinë që kishte marrë masat për këtë tubim, por për momentin nuk raportohen incidente. Banorët tentuan të bllokonin rrugën, teksa Policia nuk i ka lejuar, por më vonë ata janë ulur këmbëkryq duke u rreshtuar në të. Ata kanë kërkuar një tunel me qëllim kalimin, duke shmangur segmentin në këtë zonë.