Autoritetet italiane kanë bërë një zbulim të rëndësishëm në hetimet për vrasjen brutale të 22-vjeçares shqiptare, Ilaria Sula, e cila u vra më 26 mars në Romë nga ish-partneri i saj, Mark Samson. Celulari i saj është gjetur në banesën ku ndodhi krimi, në rrugën Homs, në lagjen e njohur si “zona afrikane”.
Gjetja e telefonit u bë e mundur falë dëshmisë së vetë autorit të dyshuar, i cili në prani të avokatëve të tij, Fabrizio Gallo dhe Alessandro Pillitu, dha informacione vendimtare që ndihmuan hetuesit për lokalizimin dhe sekuestrimin e pajisjes.
Celulari do t’i nënshtrohet analizës mjekoligjore me urdhër të prokurorëve të Piazzale Clodio, të cilët kanë ngritur ndaj Samsonit akuzat për vrasje dhe fshehje të kufomës. Ekspertiza e pajisjes pritet të ndihmojë në zbardhjen e momenteve të fundit të jetës së Ilaria Sulës, si dhe në ndriçimin e dinamikës dhe motiveve të kësaj ngjarjeje tragjike.
Vrasja e Ilaria Sulës ka tronditur opinionin publik si në Itali, ashtu edhe në Shqipëri. E reja shqiptare, studente në Universitetin “La Sapienza”, u godit me thikë në banesën e të dashurit të ish-partnerit të saj, ndërsa prindërit ndodheshin në shtëpi. Pas krimit, Samson e fshehu trupin e saj në një valixhe dhe e braktisi në një zonë të pyllëzuar pranë Polit.
Në dëshminë e tij, ai pranoi autorësinë e krimit, duke deklaruar se ishte shtyrë nga xhelozia. Ndërkohë, hetimet janë ende në zhvillim dhe pritet që analiza e celularit të ndihmojë në zbardhjen e plotë të këtij krimi të rëndë.
