Pas vjedhjes së parave në kasafortën e Xhamisë në Librazhd, instalohet sistemi i kamerave të sigurisë dhe sistemi i alarmit

LIBRAZHD- Në Xhaminë e fshatit Dragostunjë në bashkinë e Librazhdit, është instaluar një sistem monitorimi me kamera sigurie me rezolucion të lartë si dhe një sistem alarmi i cili do të sigurojë një mbikëqyrje të rreptë të xhamisë. Kjo vjen pas vjedhjes së kasafortës në Xhami pas Festës së Fiter Bajramit. Në kasafortën e Xhamisë ndodheshin paratë që besimtarët myslimanë kishin mbledhur për qëllime bamirësie.

Autorët ende të paidentifikuar përdorën forcën për të futur brenda në xhami duke shkatërruar dritaret dhe hapën kasafortën me levë duke marrë paratë që ndodheshin aty. Kjo ngjarje ka shkaktuar një shqetësim të thellë jo vetëm në komunitetin e besimtarëve, por edhe në mbarë zonën e Librazhdit. Vjedhja u konstatua nga besimtarët që kishin shkuar për tu falur në xhami disa orë pas ceremonive të Fiter Bajramit.

Ata e përjetuan ngjarjen me shumë shqetësim duke u ndjerë të tradhtuar dhe të shkelur në besimin e tyre. Për besimtarët e Dragostunjës, xhamia është një vend i shenjtë dhe i rëndësishëm jo vetëm për aktivitete fetare, por edhe për aktivitete bamirësie. Vitet e fundit, ata kanë kontribuar në mënyrë të konsiderueshme për mirëmbajtjen e xhamisë si dhe duke dhuruar para për të ndihmuar ata që janë në nevojë.

Siç raportohet vitin e kaluar besimtarët dhanë rreth 3.4 milionë lekë për këtë qëllim dhe gjithashtu kontributi i tyre në muajt e parë të vitit ka qenë gjithashtu i rëndësishëm. Pas këtij incidenti, autoritetet vendore dhe përfaqësuesit e Xhamisë së Dragostunjës kanë reaguar menjëherë për të përmirësuar sigurinë e objektit të kultit.

Pas ngjarjes së vjedhjes, besimtarët e Dragostunjës dhe i gjithë komuniteti i fshatit kanë kërkuar që policia të angazhohet maksimalisht dhe sa më shpejt dhe të zbardhë ngjarjen. Ata kërkojnë që autorët e vjedhjes të identifikohen dhe të ndiqen penalisht për tu ndëshkuar për veprën e kryer tyre.