Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan njofton se janë referuar materialet në Prokurori dhe ka nisur procedimi penal për disa shtetas, të dyshuar për vepra të ndryshme penale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare proceduan penalisht shtetasin T. T., 55 vjeç, pasi në biznesin e tij u konstatua se kishte të regjistruar vetëm një punonjës, duke ngritur dyshime për shkelje të legjislacionit të punës.
Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan proceduan penalisht shtetasit F. G., 62 vjeç, B. S., 63 vjeç dhe G. S., 39 vjeç, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.
Nga Komisariati i Policisë Librazhd, nis procedimi penal për shtetasit A. I., 42 vjeç dhe D. B., 52 vjeç, të cilët dyshohet se janë kanosur me fjalë për motive të dobëta. Po ashtu, procedim penal u iniciua për shtetasin N. S., 29 vjeç, i cili dyshohet se ka goditur me sende të forta shtetasin V. B., 37 vjeç, si dhe i ka dëmtuar automjetin.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor proceduan penalisht shtetasin I. T., 42 vjeç, banues në Elbasan, pasi në fshatin Katund i Ri, për shkak të humbjes së kontrollit mbi drejtimin e automjetit, është përplasur me murin rrethues të një objekti. Si pasojë, është dëmtuar pasagjeri në automjet, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme procedurale.
