Një aksident me pasojë vdekjen është shënuar mesditën e sotme në aksin rrugor Fllakë–Bisht Kamëz, ku një i mitur ka përplasur për vdekje një këmbësor.
Sipas burimeve paraprake nga policia, drejtuesi i mjetit, një 16-vjeçar që drejtonte një automjet tip Volkswagen, ka humbur kontrollin dhe ka goditur këmbësorin, i cili ka ndërruar jetë në vendngjarje. Viktima ende nuk është identifikuar zyrtarisht.
Adoleshenti nuk ka pësuar lëndime fizike. Policia ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po kryen hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave. Uniformat blu kanë kontrolluar edhe kanalin pranë rrugës për të verifikuar nëse ka persona të tjerë të dëmtuar.
Grupi hetimor vijon punën për të sqaruar përgjegjësitë, ndërsa pritet reagimi i Prokurorisë për masën ndaj të miturit që drejtonte mjetin pa leje drejtimi.
