Dhunoi dhe i mori celularin ish gruas si dhe lëndoi me mjet mprehës në dorë nënën e saj, arrestohet 30-vjeçari në Librazhd

Librazhdi, 4 mars 2025 – Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd kanë kapur dhe vënë në pranga shtetasin L. A., 30 vjeç, i shpallur në kërkim pas kallëzimeve të dy grave për dhunë fizike dhe vjedhje.

Sipas kallëzimit të bërë nga ish-bashkëshortja e 30-vjeçarit, më datë 01.03.2025, ai ka ushtruar dhunë ndaj saj dhe i ka marrë celularin. Po ashtu, ditën e djeshme, ka kallëzuar edhe nëna e ish-bashkëshortes së tij, sipas të cilës, shtetasi L. A. e ka dëmtuar lehtë në dorë me një mjet prerës.

Pas hetimeve të shpejta, L. A. u kap dhe u arrestua. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme.

Policia e Librazhdit ka vijuar angazhimin për trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe mbrojtjen e viktimave, duke siguruar një përgjigje të shpejtë ndaj kallëzimeve të tilla.