Shkodër, 21 shkurt 2025 – Safet Bajri është shoqëruar nga policia ditën e sotme me urdhër të Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar (GJKKO). Ky aksion vjen pas disa ditëve hetimesh, përfshirë kontrollet që RENEA kryen në banesën e tij në Shkodër.
Avokati i Bajrit ka reaguar menjëherë pas kontrollit, duke deklaruar se “nuk ka asnjë provë që e lidh me asnjë grup kriminal.” Gjithashtu, vetë Safet Bajri reagoi disa ditë më parë në emisionin “Top Story”, duke mohuar çdo akuzë dhe duke theksuar se emri i tij po keqpërdoret për lidhje të pavërteta me aktivitete kriminale. Ai sqaroi gjithashtu se kamerat e sigurisë të banesës së tij janë gjithmonë të disponueshme për efektivët që bëjnë kontroll, duke theksuar se nuk ka pasur asnjëherë probleme me autoritetet.
Bajri u pyet gjithashtu për lidhjet e tij me familjen Lici, pas spekulimeve mbi një konflikt të përgjakshëm, por ai mohoi çdo përfshirje dhe theksoi se nuk ka pasur kurrë probleme me këtë familje. Ai gjithashtu i hodhi poshtë akuzat lidhur me pasuritë e tij dhe sekuestrimin e mundshëm të tyre, duke thënë se gjithçka është e verifikueshme dhe asnjëherë nuk ka pasur sekuestrim të pasurisë së tij.
