Humb jetën shqiptari në Greqi

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Igumenicë të Greqisë, ku është gjetur i varur 63-vjeçari shqiptar, Tafil Tushaj, nga fshati Markat i Bashkisë Konispol. Trupi i tij është zbuluar në një pemë, në një zonë pyjore mbi shkollën e Igumenicës.

Sipas informacioneve të mediave greke, Tushaj ishte kërkuar nga familjarët që prej mëngjesit të së dielës, ndërsa u gjet rastësisht nga dy motoristë që po kalonin në atë zonë paraditen e djeshme. Ata njoftuan menjëherë policinë për ngjarjen tragjike.

Forcat e policisë dhe urgjenca mjekësore mbërritën shpejt në vendngjarje, por tashmë ishte tepër vonë për të shpëtuar 63-vjeçarin. Sipas të dhënave të para, është përjashtuar mundësia e një veprimi kriminal, ndërsa të gjitha provat e mbledhura tregojnë se bëhet fjalë për një vetëvrasje.

Policia e Igumenicës ka nisur hetimet paraprake për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të siguruar informacion të plotë mbi shkaqet e këtij veprimi tragjik.