Shqiptarët grabisin punonjësin e karburantit. Gjithçka filmohet nga kamera e sigurisë. Njëri arrestohet, tjetri në kërkim

SELANIK – Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja që ka ndodhur në Selanik ku dy persona me origjinë shqiptare grabitën një pikë karburanti në Stavroupoli në orët e para të së premtes. Mësohet se përveç një 31-vjeçari shqiptar i cili është arrestuar, është identifikuar dhe shpallur në kërkim edhe bashkëpunëtori i tij 26-vjeçar, gjithashtu shqiptar.

Mediat vendase shkruajnë se dy grabitësit kanë kërcënuar dhe rrahur punonjësin e karburantit që ndodhet në zonën e Stavroupolit, për t’i nxjerrë paratë që kishte mbi të. Makina me të cilën udhëtonin dy autorët ka mbërritur në pikën e karburantit rreth orës 3:48 të mëngjesit.

Pasagjeri ka hapur derën dhe mesa duket i ka thënë punonjësit të mbushë automjetin me karburant. Pasi mjeti është mbushur, dy autorët kanë dalë nga automjeti dhe kanë bërë gjeste kërcënuese në drejtim të punonjësit, ndërsa kanë tentuar të shmangin regjistrimin e fytyrave nga kamera e sigurisë, siç mund të shihet dhe në videon e publikuar nga mediat e huaja.

Shoferi mbante një kaçavidë dhe e shtypte pas kurrizit të punonjësit 62-vjeçar. Ai rezistoi dhe bërtiti “prit” por dy autorët e rrahën dhe e hodhën poshtë dhe ia hoqën nga xhepi 930 euro. Punonjësi ka thirrur për ndihmë duke thirrur “grabitje”. Autorët janë kthyer në automjet dhe janë zhdukur.

Punonjësi 62-vjeçar është dërguar në spital i tronditur për shkak të ngjarjes. “ Jemi të pambrojtur ”, tha pronari i pikës së karburantit, i cili ka bërë padi ndaj dy autorëve.