Detaje nga humbja e jetës së 12-vjeçares. Kishte dridhje! Policia nis hetimet

Detaje të reja kanë dalë në pah në lidhje me 12-vjeçaren që ka ndërruar jetë sot në Sukth. Ajo ka shkuar në shkollë si çdo ditë. Gjatë orës së dytë të mësimit, ajo ka pasur dridhje të ngjashme me ato të epilepsisë.

Menjëherë është dërguar nga mësuesit në Qendrën Shëndetësore të Sukthit, ku ka marrë ndihmën e parë, dhe është njoftuar menjëherë prindërit e saj. Ata e kanë dërguar në Spitalin e Durrësit, ku është bërë stabilizimi i gjendjes fillestare të vajzës, e cila kishte dridhje të të gjithë trupit.

Pas kësaj, ajo është futur me urgjencë në skaner, ku u zbulua se kishte një rrjedhje gjaku, “hemorragji në tru”. U realizua intubimi i menjëhershëm, por hemorragjia vazhdoi, duke bërë që vajza të humbasë jetën pas tre orësh, rreth mesditës, në spital. Mjekët kanë njoftuar se, pavarësisht ndërhyrjes, hemorragjia ka vazhduar dhe ka çuar në humbjen e jetës së vajzës.

Ndërkaq, Policia e Durrësit ka nisur hetimin. Sipas burimeve nga hetimi, mjekët kanë konfirmuar se shkaku i vdekjes është hemorragjia cerebrale. Vajza kishte patur dhimbje të vazhdueshme dhe shumë të forta në kokë, siç tregohet në kartelën mjekësore.

Dy gjyshërit e vajzës kanë shoqëruar të miturën në spital, ku ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, por fatkeqësisht nuk ka mundur të mbijetojë. Policia ka marrë në pyetje mjekët dhe ka nisur procedurën për ekspertizë mjeko-ligjore për të përcaktuar me saktësi shkakun e vdekjes.

Materialet e çështjes janë dërguar në Prokurorinë e Durrësit, ndërsa hetimi do të vijojë me dëshmitë e nxënësve apo mësuesve të shkollës, ku vajza ndoqi mësimin, si dhe të afërmve të saj, për të sqaruar më tej rrethanat e kësaj ngjarje tragjike.