Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur qytetin e Shkodrës mbrëmjen e kësaj të shtune, rreth orës 21:30. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Qemal Stafa”, ku një sasi lënde plasëse është hedhur në oborrin e banesës së 60-vjeçarit Metin Bushati.
Nga shpërthimi nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa janë shkaktuar vetëm dëme të vogla materiale në ambientet e jashtme të banesës.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forca të shumta të policisë. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për këqyrjen e pamjeve dhe përcaktimin e plotë të rrethanave me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.




