Kostoja e jetesës është rritur më tej, duke rënduar buxhetet e familjeve shqiptare.
Sipas INSTAT-it, inflacioni arriti në 3,2% gjatë muajit gusht, duke shënuar një rritje të fortë krahasuar me nivelin 2,3% të regjistruar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Goditja më e madhe ka ardhur nga transporti, ku çmimet janë rritur me 12% brenda një viti.
Vetëm gjatë gushtit, qytetarët paguan 3,9% më shumë për këtë kategori krahasuar me korrikun.
Ushqimet dhe pijet joalkoolike u shtrenjtuan me 2,8%, por për shkak se zënë pjesën më të madhe të shpenzimeve familjare, dhanë ndikimin kryesor në rritjen e inflacionit. Më të larta janë edhe shpenzimet për banesën.
Qiratë, uji, energjia elektrike, gazi dhe karburantet e tjera kushtuan 3,7% më shumë se një vit më parë.
Rritje u regjistrua edhe për argëtimin, sportin dhe kulturën me 5,4%, si dhe për sigurimet dhe shërbimet financiare me 4,6%. Në kahun e kundërt, çmimet e veshjeve dhe këpucëve u ulën me 3,2%, ndërsa informacioni dhe komunikimi u liruan me 1%.
Krahasuar me korrikun, çmimet e konsumit u rritën me 0,1%, duke konfirmuar se presioni mbi xhepat e qytetarëve po vazhdon./Tch




