“Na jepni rrogat ose shihemi në gjyq”, Rama i përgjigjet ultimatumit të magjistratëve!

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ditën e sotme në lidhje me ngërçin e pagave të magjistratëve për muajin, për të cilën thekson se çdo institucion duhet të mbajë vendin e vet.

Ndërsa shton se fondin e pagave të pushtetit gjyqësor e propozon pushtetit ekzekutiv dhe e miraton pushteti legjislativ, Rama thekson se Kushtetuesja është në pritje të ekzekutimit nga Parlamenti.

“Secili institucion në vendin e vet. Fondin e pagave të pushtetit gjyqësor e propozon pushtetit ekzekutiv dhe e miraton pushteti legjislativ. E kur vetë Gjykata Kushtetuese pret parlamentin të ekzekutojë vendimin e saj për pagat e gjyqësorit dhe nuk kuturiset të hapë vetë derën e thesarit të shtetit, çdo koment tjetër është në rastin më të mirë humbje kohe dhe në më të keqin as mos e pyet se ç’është…” shkruan Rama në reagimin e bërë mesditën e sotme.

Reagimi i kryeministri Rama në lidhje me ngërçin e pagave të magjistratëve të vendit, të cilëve iu bllokua pagesa për gushtin pasi rritën pagat e tyre vetë, vjen në një moment kur konflikti institucional mes pushtetit gjyqësor dhe ekzekutivit për çështjen e pagave të muajit gusht, ka kapërcyer diskutimet administrative dhe duke kaluar në paralajmërime për ndjekje penale.