EMRI/ Tragjedia në Kelmend, alpinisti humbi jetën pasi ra në humnerë

KELMEND- Një 40-vjeçar ka humbur jetën këtë të shtunë pasi ka rënë në një humnerë në zonën e Lëpushës, në Kelmend. Viktima është identifikuar si Florian Sini. Sipas Policisë së Shtetit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:52, kur autoritetet janë njoftuar se një person dyshohej se kishte rënë në një humnerë në fshatin Lëpushë.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku kanë konstatuar se 40-vjeçari kishte humbur jetën si pasojë e dëmtimeve të marra nga rënia. Grupi hetimor po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

“Rreth orës 10:52, Policia është njoftuar se shtetasi F. S., rreth 40 vjeç, dyshohet se ka rënë në një humnerë, në fshatin Lëpushë, Kelmend. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë konstatuar se, si pasojë e dëmtimeve të marra, 40-vjeçari ka humbur jetën”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Ndërkohë, Federata Shqiptare e Alpinizmit dhe Turizmit Malor ka shprehur ngushëllime për familjarët dhe miqtë e Sinit, duke e cilësuar ngjarjen si një aksident tragjik.

“Me hidhërim të thellë morëm lajmin e humbjes së jetës në një aksident tragjik të Alpinistit Florian Sini. I shprehim ngushëllime, Familjes dhe shoqërisë! I përjetshëm kujtimi yt Florian Sini,” shkruan Federata në Facebook