GJKKO lë Ergys Agasin në masën “arrest me burg”

Gjykata e Posaçme ka dhënë vendimin për të lënë Ergys Agasit në masën e “arrestit me burg”.

Avokati Maks Haxhia ka folur para mediave pas përfundimit të seancës në Gjykatën e Posaçme, ku është shqyrtuar masa e sigurisë për biznesmenin Ergys Agasi.

Seanca për Agasin ka nisur në orën 09:30 dhe gjatë ditës është shtyrë një herë, pasi mbrojtja kërkoi kohë për t’u njohur me materialet e dosjes.

Në orën 12:00 seanca ka vijuar, ndërsa pas disa orësh Gjykata e Posaçme ka marrë vendimin për masën e sigurisë. GJKKO ka caktuar ndaj Ergys Agasit masën “arrest me burg”.

Pas përfundimit të seancës, në orën 16:24, avokati Maks Haxhia ka dalë para mediave për të folur mbi mënyrën se si vijoi procesi gjyqësor dhe qëndrimin e mbrojtjes.

Sipas avokatit, mbrojtja kishte kërkuar kohë shtesë për t’u njohur me materialet e dosjes, kërkesë që solli edhe shtyrjen e parë të seancës.

Ergys Agasi u arrestua dy ditë më parë në kuadër të një operacioni të koordinuar nga SPAK dhe Forcat e Posaçme Operacionale.

Ai u ndalua pas ndjekjes së automjetit me të cilin udhëtonte. Automjeti drejtohej nga ish-zyrtari i Policisë, Ulian Shpataraku, dhe u pikas fillimisht në Elbasan. Autoritetet e ndoqën deri në zonën e Plepa-ve, ku automjeti u rrethua në një segment me trafik.

Gjatë kontrollit, Agasi dhe Shpataraku u gjetën me rreth 4 mijë euro cash.

Sipas hetimeve, Agasi dyshohet se në bashkëpunim me biznesmenin Ermal Beqiri, i arrestuar më herët në Francë, kishte ngritur një grup të strukturuar kriminal brenda Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI.

Dyshimet e hetuesve lidhen me tendera me vlerë miliona euro, të cilët dyshohet se paracaktoheshin në favor të kompanive të lidhura me Beqirin.

Në dosje përfshihen edhe dyshime për përdorim të presionit dhe rrëmbim të rivalëve në biznes, me qëllim tërheqjen e tyre nga garat për tenderat publikë.

Në të njëjtën çështje janë nën hetim edhe ish-drejtuesja e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, zëvendësja e saj, si dhe zyrtarë të lartë të Policisë dhe biznesmenë të tjerë.

Ndaj Agasit rëndojnë akuzat për grup të strukturuar kriminal, pastrim parash, shkelje të barazisë në tendera, konkurrencë të paligjshme dhe heqje të paligjshme të lirisë.

Me vendimin e sotëm, GJKKO ka caktuar masën “arrest me burg” për Ergys Agasin, ndërsa hetimet për çështjen vijojnë.