Ka marrë fund me një bilanc tragjik kërkimi për 7-vjeçaren Marisa D. në Bulqizë, e cila është gjetur pa jetë pak minuta më parë pas orëve të tëra kërkimesh intensive. Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e djeshme në Gjoricë, ku katër fëmijë së bashku me dajën e tyre kishin dalë buzë lumit Drin për t’u freskuar, por u surprizuan nga rritja e papritur e nivelit të ujit, e cila dyshohet se erdhi si pasojë e hapjes së portave të një hidrocentrali në Dibër të Madhe.
Pas njoftimit të familjarëve, forcat e policisë ndërhynë në vendngjarje duke arritur të shpëtonin dajën dhe tre prej fëmijëve, ndërsa fatkeqësisht e mitura 7-vjeçare nuk mundi t’i mbijetojë rrymës së fuqishme, duke u gjetur e mbytur nga grupat e kërkim-shpëtimit.




