SARANDA- Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Sokrat Vatën, i cili dyshohet se është autori i vrasjes së turistit portugez Luis Miguel Varela Mendes. Ndërsa, për Ezgi Parlak dhe Nuh Mahmutoglu është vendosur masa “arrest në burg”.
Për Ildi Cekanin dhe Ardit Kasemin është vendosur arresti në burg për një afat 45-ditor. Ndërsa masa “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” është vendosur për Luciano Seferin, Moisi Matushajn, Romeo Shehun dhe Kristo Kosho.
Si ndodhi ngjarja?
Luis Miguel Varela Mendes me shtetësi portugeze, por me banim në Francë u vra rreth orës orës 05:15 të 18 gushtit në lokalin “Principote”. Konflikti kishte nisur pas një feste në klubin “Principote” dhe më pas ka vijuar në plazhin e “Paradise”. Sokrat Lipan alias Sokrat Vata, 29 vjeç, dyshohet se gjatë konfliktit e ka goditur disa herë me thikë 20-vjeçarin portugez, ndërsa David Heurtevent 29 vjeç, i shpallur në kërkim, e ka goditur me grushte. Të dy akuzohen për vrasje me dashje në bashkëpunim.
Para goditjes me thikë, në konflikt u përfshinë edhe katër kamarierët e “Principote” Serxhi Selimi, Ervis Bunci, Ildi Cekani, dhe Murat Zhabina, të cilët sipas policisë goditën me grushte 20-vjeçarin dhe më pas u larguan. Në lokal ndodheshin edhe punonjës policie. Miosid Matushaj, Luciano Seferi, punonjës i IEVP Fier, Romeo Shehu, punonjës i Policisë Bashkiake Gjirokastër dhe Kristi Koshi, të cilët kishin rolin e bodyguard-ëve.
Sipas hetimeve, ata nuk ndërhynë për të parandaluar konfliktin dhe nuk njoftuan policinë pas ngjarjes. Për këtë arsye, akuzohen për moskallëzim të krimit, ndërsa Miosid Matushaj edhe për mosmarrje të masave për ndërprerjen e gjendjes së paligjshme. Gjatë ngjarjes, ndodhej edhe pronari i lokalit ‘Principote’, Bekim Bulica, i cili pas krimit u largua. Ai është shpallur në kërkim për moskallëzim të krimit.
Personat e arrestuar
Në pranga janë vënë 11 persona, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim. Të arrestuarit janë, krahas autorit Sokrat Lipan alias Sokrat Vata, dy turqit që ndihmuan autorin Nuh Mahmutoglu 38 vjeç, dhe Ezgi Perlak 31 vjeçe; Serxhi Selimi, 24 vjeç; Ervis Bunci, 24 vjeç; Ildi Cekani, 21 vjeç; dhe Murat Zhabina 27 vjeç, kamarierë në lokalin “Principote”; si dhe Miosid Matushaj 24 vjeç; Luciano Seferi 44 vjeç; Romeo Shehu 35 vjeç dhe Kristi Koshi 29 vjeç, të cilët ishin pjesë e sigurisë/bodyguard-ëve të lokalit në fjalë. Në kërkim u shpallën David Heurtevent 29 vjeç dhe pronari i lokalit, Bekim Bulica, 36 vjeç.
Autori i krimit u vu në pranga nga policia në Levan të Fierit, në bagazhin e një automjeti, që drejtohej nga shtetasja turke Ezgi Perlak, 31 vjeçe, ndërsa pasagjer ishte shtetasi Nuh Mahmutoglu, 38 vjeç, po ashtu turk. Sipas policisë, të dy kishin njohje me Sokrat Vatën dhe e kishin fshehur në makinë me qëllim që ta transportonin drejt Tiranës. Për këtë arsye, ata janë arrestuar për “Përkrahje të autorit të krimit”.
Kush është Sokrat Vata?
Sokrat Vatës rezulton të jetë një person me precedent penal. Emri i 29-vjeçarit është përmendur edhe më herët në një çështje penale në Angli. Në vitin 2023, Vata ishte shpallur fajtor për posedim të një arme sulmuese, konkretisht një perforcuesi metalik grushti, posedim kokaine dhe drejtim automjeti pa siguracion. Ndërsa, më 13 prill 2024, në Kent, Vata përmbysi një automjet të klonuar që po drejtonte pasi nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar në autostradën A20, në East Malling.
Ai u largua nga vendngjarja, ndërsa në automjet u gjetën disa qese me kokainë dhe targa. Vetëm 17 ditë më vonë, më 30 prill 2024, Vata u përfshi sërish në një ndjekje policore në Cambridge. Ai po drejtonte një Toyota RAV4 gri të raportuar të vjedhur dhe, pasi policia tentoi ta ndalonte, u largua me shpejtësi. Ndjekja vijoi në disa rrugë të qytetit.
Vata ndaloi për pak kohë për të zbritur një pasagjer dhe më pas vazhdoi drejt Clara Rackham Road, ku u largua me vrap dhe hodhi një pako me kokainë në një shkurre. Më pas, policia e gjeti të fshehur në kopshtin e pasmë të një banese. Gjatë kontrollit, të riut iu gjetën 560 paund cash, ndërsa në automjet u zbuluan edhe targa. Vata rezultoi gjithashtu pozitiv për drejtim automjeti nën ndikimin e drogës




