“Zëri im, politika ime” ndalet në Peqin: Të rinjtë kërkojnë më shumë hapësirë dhe zë në komunitet

Projekti “Zëri im, politika ime” u ndal në Peqin, duke sjellë në një tryezë të përbashkët të rinj gjimnazistë dhe përfaqësues të institucioneve vendore.

Takimi krijoi një hapësirë të drejtpërdrejtë komunikimi, ku të rinjtë shprehën mendimet e tyre, prezantuan ide dhe ngritën kërkesa konkrete për më shumë vëmendje dhe investime në mjediset ku zhvillohet jeta e tyre e përditshme.

Të pritur nga nënkryetarja e Bashkisë Peqin, Ilda Sallufi, të rinjtë diskutuan mbi problematikat që hasin, duke nisur nga ambientet e shkollës e deri te nevojat dhe mundësitë për një jetë komunitare më aktive.

Gjatë bashkëbisedimit, ata morën informacion mbi çështjet që mund të adresohen në një kohë të shkurtër nga pushteti vendor, por edhe mbi problematikat që kërkojnë ndërhyrje dhe koordinim me Ministrinë e Arsimit apo institucione të tjera përgjegjëse.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua edhe funksionimit të Këshillit Bashkiak Peqin.

Kryetarja e këshillit, Zvjetllana Sallufi, i njohu të rinjtë me rolin dhe përgjegjësitë e këshilltarëve bashkiakë, si dhe me mundësitë që kanë qytetarët, veçanërisht të rinjtë, për të adresuar kërkesat dhe shqetësimet e tyre përmes këtij institucioni.