“U konfirmua! Urime!” Ambasada e SHBA-së në Tiranë i uron mirëseardhjen ambasadorit të ri Eric Wendt

TIRANË- Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka konfirmuar emërimin e Gjenerallejtënantit në pension Eric Wendt si ambasadorin e ardhshëm të SHBA-së në Shqipëri.

Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ambasada i ka uruar Wendt për detyrën e re dhe ka bërë të ditur se e pret me kënaqësi mbërritjen e tij në Tiranë.

“U konfirmua! Urime Gjenerallejtënantit (në pension) Eric Wendt për rolin e tij të ri si Ambasadori i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri!”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA-së.

Sipas ambasadës, gjatë mandatit të tij në Shqipëri, Wendt do të ketë në fokus mbështetjen e vizionit të Presidentit Donald Trump për siguri të përbashkët, forcimin e NATO-s dhe krijimin e marrëveshjeve të drejta për bizneset amerikane.

Emërimi i Wendt vjen në një periudhë kur marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara mbeten të fokusuara te bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, angazhimi në NATO dhe forcimi i marrëdhënieve ekonomike dypalëshe.