Hyjnë në fuqi ndryshimet e reja në Kodin Rrugor: Heqje përgjithmonë e patentës, gjoba më të larta dhe rregulla të reja për shoferët

Kanë hyrë fuqi që nga 5 gushti, ndryshimet e reja në Kodin Rrugor, të miratuara nga Kuvendi gjatë muajit qershor. Rregullat e reja ashpërsojnë ndjeshëm masat ndaj shkelësve, veçanërisht për drejtuesit që kapen duke drejtuar mjetin nën efektin e alkoolit.

Sipas ndryshimeve, çdo drejtues automjeti që konstatohet për herë të dytë me nivel alkooli në gjak mbi 0.5 gram për litër (g/l), pasi është ndëshkuar më parë për të njëjtën shkelje, do t’i hiqet leja e drejtimit në mënyrë të përhershme.

Masa më të forta janë parashikuar edhe për drejtuesit që organizojnë ose marrin pjesë në gara shpejtësie në rrugë, si dhe për ata që kryejnë manovra të rrezikshme, ndryshojnë vazhdimisht korsinë pa sinjalizim apo shfaqin sjellje agresive që cenojnë sigurinë e përdoruesve të tjerë të rrugës.

Për këto shkelje, gjobat janë rritur dhe variojnë nga 20 mijë deri në 60 mijë lekë.

Ndryshimet prekin gjithashtu përdorimin e telefonit celular gjatë drejtimit. Tashmë ndalohet përdorimi i telefonit të mbajtur në dorë jo vetëm nga drejtuesit e automjeteve, por edhe nga ata që lëvizin me biçikleta dhe motomjete me kubikazh deri në 50 cc.

Ndryshimet në Kodin Rrugor prekin edhe drejtuesit e rinj. Për personat që kanë marrë lejen e drejtimit të kategorisë B gjatë dy viteve të fundit zbatohet tolerancë zero ndaj alkoolit.

Gjithashtu, për këtë kategori janë vendosur kufizime të veçanta të shpejtësisë, me maksimum 90 km/orë në autostrada dhe rrugë interurbane kryesore, si dhe 80 km/orë jashtë qendrave të banuara.