Librazhd, zjarri në masivin pyjor të Dardhës vijon prej tetë ditësh, era favorizon përhapjen e flakëve

LIBRAZHD, 5 gusht – Zjarri në masivin pyjor të fshatit Dardhë, në bashkinë e Librazhdit, vijon të jetë aktiv prej tetë ditësh, ndërsa kushtet atmosferike po vështirësojnë përpjekjet për izolimin e tij.

Sipas informacioneve nga terreni, era e fortë po favorizon përhapjen e flakëve në sipërfaqe të reja me bimësi, duke rritur rrezikun e zgjerimit të vatrës së zjarrit.

Forcat zjarrfikëse dhe strukturat e angazhuara në operacion po vijojnë punën për vënien nën kontroll të flakëve, ndërsa terreni i vështirë dhe temperaturat e larta mbeten sfida kryesore në ndërhyrje.

Deri më tani nuk raportohen dëme në banesa apo persona të lënduar, ndërsa autoritetet vijojnë monitorimin e situatës dhe apelin për kujdes maksimal për të shmangur rrezikun e zjarreve gjatë ditëve me temperatura të larta.