Vritet me thikë 24-vjeçari shqiptar në Itali, dyshohet se konflikti nisi për motive xhelozie

ITALI – Një 24-vjeçar shqiptar ka humbur jetën pasi u godit me thikë gjatë një konflikti të ndodhur në orët e vona të së hënës në Vescovato, një qytezë në provincën e Cremonës.

Viktima, N. Dalipaj, dyshohet se është goditur të paktën tri herë në pjesën e qafës gjatë përplasjes. Ai u transportua me urgjencë në spital në gjendje kritike, por nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra.

Lidhur me ngjarjen, autoritetet italiane kanë ndaluar Mattia Miraglia, 32 vjeç, banues në Vescovato dhe pa precedentë penalë. Edhe i dyshuari ka mbetur i plagosur gjatë konfliktit dhe ndodhet nën mbikëqyrje në spitalin Maggiore, ndërsa pozita e tij po shqyrtohet nga organet e drejtësisë.

Sipas hetimeve paraprake të karabinierëve, konflikti dyshohet të ketë nisur për motive sentimentale, të lidhura me xhelozinë për një vajzë. Mësohet se fillimisht mes 24-vjeçarit shqiptar dhe 32-vjeçarit kishte ndodhur një debat në një bar.

Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, pas debatit shqiptari, së bashku me vëllezërit e tij, u drejtua pranë banesës së të dyshuarit në Vescovato. Ky i fundit dyshohet se ka zbritur i armatosur me thikë, duke plagosur fillimisht në bark një nga vëllezërit e viktimës dhe më pas duke goditur për vdekje 24-vjeçarin.

Karabinierët vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht dinamikën e ngjarjes dhe për të dokumentuar përgjegjësitë penale të personave të përfshirë.