TRAGJEDI NË ITALI/ Autobusi përplaset me katër mjete, mbeten 5 viktima dhe 27 të pl*gosur

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur këtë të diel në Itali, ku pesë persona kanë humbur jetën dhe 27 të tjerë kanë mbetur të plagosur pas një përplasjeje që përfshiu disa mjete në Rrugën Shtetërore 79 “Ternana”, në zonën e Colli sul Velino, në provincën e Rietit.

Sipas mediave italiane, në aksident u përfshinë një autobus, një kamionçinë dhe tre automjete. Përplasja rezultoi fatale për pesë persona, ndërsa tre nga të plagosurit ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore.

Menjëherë pas ngjarjes, në vendin e aksidentit mbërritën ekipet e emergjencës, zjarrfikësit dhe forcat e policisë. Pasagjerët e autobusit u evakuuan, ndërsa disa prej tyre morën ndihmën e parë në vendngjarje për shkak të plagëve dhe gjendjes së shokut.

Në operacion u angazhuan edhe helikopterë të emergjencës, të cilët transportuan të plagosurit më rëndë drejt spitaleve në rajonet Umbria dhe Lazio.

Për shkak të operacioneve të shpëtimit dhe hetimeve për shkaqet e aksidentit, segmenti rrugor u mbyll përkohësisht, duke shkaktuar radhë të gjata automjetesh dhe vështirësi në qarkullim. Autoritetet po punojnë për të sqaruar rrethanat që çuan në këtë aksident me pasoja të rënda.