PRRENJAS – Qindra qytetarë të Prrenjasit janë mbledhur sërish në qendër të qytetit për të kundërshtuar bashkimin e mundshëm të Bashkisë Prrenjas me Bashkinë Librazhd, në kuadër të projektit për reformën e re territoriale.
Për të dytën herë, protestuesit deklaruan se nuk do të tërhiqen nga mbrojtja e statusit të bashkisë së tyre, duke kërkuar që Prrenjasi të mbetet njësi më vete.
Kundërshtime ndaj projektit të reformës janë shfaqur edhe në Bashkinë Dimal. Qytetarët u mblodhën në pedonalen e qytetit me pankarta në duar, duke kërkuar që qeveria të mos e përfshijë Dimalin në ndryshimet e propozuara.
Protestuesit thanë se Dimali është një nga zonat me prodhimin më të madh bujqësor në vend dhe se statusi i bashkisë duhet të ruhet për shkak të shtrirjes territoriale, numrit të popullsisë dhe vlerave historike.
Sipas tyre, një bashkim i mundshëm me Bashkinë Berat do të vështirësonte jetën e banorëve dhe aktivitetin ekonomik, veçanërisht për fermerët e njësive administrative Kutalli, Cukalat dhe Poshnjë.
Gjatë protestës, qytetarët nënshkruan edhe një peticion kundër projektit të reformës territoriale.
Protestë u zhvillua edhe në Klos, ku qytetarët kundërshtuan projekt-hartën e re administrativo-territoriale, e cila parashikon bashkimin e Bashkisë Klos me Bashkinë Mat.
Protesta nisi që në orët e paradites, ndërsa administrata e Bashkisë Klos bojkotoi punën për disa orë në shenjë kundërshtimi.
Protestuesit kërkuan që Klosi të ruajë statusin e bashkisë, duke deklaruar se vendimmarrja për reformën nuk është shoqëruar me konsultim të gjerë me komunitetin.




