ITALI – Një aksident i rëndë rrugor i regjistruar në provincën e Trentos i ka marrë jetën një 42-vjeçari me origjinë shqiptare. Viktima është identifikuar si shtetasi Renis Domi, i cili prej vitesh jetonte dhe banonte në Concesio.
Ngjarja e rëndë ndodhi paraditen e së dielës, më 12 korrik, në zonën e Bezzecca-s. Sipas të dhënave të para nga mediat italiane, Domi po udhëtonte me një motoçikletë në momentin kur u përplas fatalisht me një automjet, i cili drejtohej nga një grua 67-vjeçare.
Dëshmitare e kësaj tragjedie ka qenë partnerja e 42-vjeçarit, e cila po udhëtonte po ashtu me motoçikletë rreth 100 metra pas tij. Për shkak të goditjes jashtëzakonisht të fortë, shqiptari ka ndërruar jetë menjëherë në vendngjarje, ndërsa drejtuesja e automjetit është transportuar me urgjencë në spitalin e Trentos në gjendje të rëndë shëndetësore.
Në vendin e ngjarjes kanë ndërhyrë menjëherë shërbimet e emergjencës mjekësore dhe Policia Rrugore, e cila ka nisur hetimet e plota për të zbardhur dinamikën dhe shkaqet e këtij aksidenti fatal.





