PD bojkoton seancën e nesërme në Kuvend: Kërkon pranimin e kërkesave të protestuesve

Partia Demokratike ka vendosur të mos marrë pjesë në seancën plenare të parashikuar për nesër në Kuvend, duke vijuar qëndrimin e saj politik në mbështetje të kërkesave të protestuesve.

Vendimi u është komunikuar deputetëve të grupit parlamentar përmes një njoftimi të brendshëm, ku bëhet me dije se mungesa në seancë është në përputhje me vendimin e Grupit Parlamentar dhe qëndrimin e bërë publik më herët.

“Të nderuar kolegë! Ju njoftoj se nesër nuk do të marrim pjesë në seancën plenare, sipas vendimit të Grupit Parlamentar dhe qëndrimit të bërë tashmë publik”, thuhet në njoftimin drejtuar deputetëve të PD-së.

Kjo është seanca e dytë radhazi që deputetët demokratë bojkotojnë. Partia Demokratike ka deklaruar se do të mbajë këtë qëndrim deri në momentin kur, sipas saj, qeveria të marrë në konsideratë kërkesat e qytetarëve që vijojnë protestat prej 43 ditësh.

Ndër kërkesat e artikuluara nga protestuesit janë:

Dorëheqja e kryeministrit dhe e qeverisë.
Krijimi i një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.
Ndryshime kushtetuese, përfshirë reformimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike, si dhe kufizimin e mandatit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate gjatë jetës politike të një individi.
Anulimi i ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, ligjin për trashëgiminë kulturore, Paketën e Maleve dhe kuadrin ligjor për investimet strategjike.
Hartimi i një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, pas konsultimeve me ekspertë, intelektualë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Partia Demokratike ka deklaruar se qëndrimi i saj do të vijojë të jetë i lidhur me zhvillimet e protestave dhe kërkesat e paraqitura prej tyre.