Një i paraburgosur në IEVP Shkodër ka humbur jetën mëngjesin e së dielës pas një problemi të papritur shëndetësor, pavarësisht ndërhyrjes së stafit mjekësor të institucionit dhe më pas të spitalit.
62-vjeçari me iniciale Ç. J. ishte i akomoduar në të njëjtën qeli me të birin, i cili gjithashtu ndodhet në paraburgim.
Sipas njoftimit zyrtar, gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar papritur gjatë orëve të para të mëngjesit, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme mjekësore.
Ai ka marrë ndihmën e parë në ambientet e burgut dhe më pas është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Koplikut. Gjatë transportit dhe në urgjencë janë kryer procedurat e reanimimit, por nuk ka arritur të mbijetojë.
Organet kompetente janë njoftuar menjëherë dhe kanë nisur veprimet për dokumentimin dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka shprehur ngushëllime për familjen dhe ka bërë të ditur se po bashkëpunohet me institucionet e drejtësisë për zbardhjen e rastit.




