TIRANË – Një video e montuar përmes Inteligjencës Artificiale (AI), ku protagonist është kryeministri Edi Rama, është kthyer në virale në rrjetet sociale gjatë orëve të fundit. Videoja e realizuar nga një faqe në rrjet ka marrë edhe vëmendjen e vetë kreut të qeverisë, i cili ka zgjedhur ta ndajë atë me ndjekësit e tij në profilin zyrtar, duke e shoqëruar me batuta dhe ironi.
Në materialin e krijuar me AI, kryeministri shfaqet i veshur me fund dhe këpucë me taka. Ky montim ka marrë shkas nga deklaratat dhe imitimet e fundit që Rama u bëri blogerëve, të cilët dolën publikisht në mbështetje të protestave për Zvërnecin dhe akuzuan qeverinë për afera korruptive.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama e ka vlerësuar me humor realizimin e videos, duke shkruar: “Hallall kush e ka bërë”. Më tej, ai ka vijuar me ironi ndaj organizatorëve të protestës lidhur me numrin e pjesëmarrësve në tubim.
“Na falni për vonesën, po po numëroja sa ishim dje. Çudi si nuk më dolën 2000. Siç tha një miku im: ‘Kce tash fckng btch’. Hahahahahhahahahahahahahhahahahahahahhahahahahahahahahahha”, shkruan kryeministri Edi Rama në reagimin e tij.




