TIRANË, 1 qershor 2026 – Protesta kundër projektit turistik në Zvërnec është shoqëruar me thirrje të forta kundër klasës politike, ndërsa qytetarët kanë kërkuar anulimin e investimit dhe mbrojtjen e zonës bregdetare.
Të mbledhur në qendër të Tiranës, protestuesit mbanin pankarta me mbishkrime si “Shqipëria nuk është në shitje” dhe “Anulo projektin”, ndërsa dëgjoheshin edhe slogane të drejtpërdrejta politike, mes tyre “Rama në burg, Berisha në burg”.
Pjesëmarrësit akuzuan si mazhorancën, ashtu edhe opozitën për situatën e krijuar rreth projektit në Zvërnec, duke i konsideruar të dyja palët përgjegjëse për zhvillimet që po kundërshtohen nga banorë dhe aktivistë.
Gjatë protestës, qytetarët brohoritën gjithashtu “Dorëheqje”, duke shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj institucioneve dhe mënyrës se si po trajtohet projekti që parashikon investime turistike në zonën e Zvërnecit.
Protestuesit kërkojnë anulimin e projektit dhe një proces më transparent konsultimi me komunitetin lokal dhe grupet e interesit, ndërsa kanë paralajmëruar vijimin e reagimeve kundërshtuese edhe në ditët në vijim.





